Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë pretendimet që ngrihen mbi aftësinë mendore të presidentit Joe Biden, i cili ka deklaruar se dyshuesit brenda partisë së tij ose duhet ta sfidojnë atë ose të bashkohen pas kandidaturës së tij. Biden, 81 vjeç, ka theksuar në një emision televiziv kabllor se ai nuk ka ndërmend të largohet nga detyra.
Në një konferencë shtypi të tensionuar, zëdhënësja e presidentit, Karine Jean-Pierre, mohoi pretendimet se ai mund të vuante nga një sëmundje e pazbuluar. Pyetjet mbi mprehtësinë mendore të Biden janë intensifikuar që nga performanca e tij e dobët në një debat me Donald Trump më 27 qershor.
Jean-Pierre hodhi poshtë spekulimet se Biden po trajtohej për sëmundjen e Parkinsonit, e cila mund të shkaktojë lëvizje të ngurtë dhe të folur të paqartë. Ajo u përgjigj se presidenti nuk është trajtuar dhe nuk po trajtohet për Parkinson. Kjo erdhi pas një raporti në New York Times që një ekspert për sëmundjen e Parkinsonit kishte vizituar Shtëpinë e Bardhë tetë herë që nga viti i kaluar.
Biden përballet me këto pretendime në një kohë kritike, ndërsa pret një samit në Uashington me liderët e vendeve të NATO-s.