Bisedimet mes Iranit dhe disa vendeve të Gjirit Persik për situatën në Ngushticën e Hormuzit janë shtyrë, njoftoi ministria e Jashtme e Omanit.
Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr al-Busaidi, deklaroi se takimi i planifikuar për sot u shty “në interes të arritjes së konsensusit”.
Al-Busaidi theksoi se Omani mbetet i angazhuar për nxitjen e dialogut, me synim forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit afatgjatë në rajon. Megjithatë, ai nuk bëri të ditur një datë të re për zhvillimin e takimit dhe nuk dha shpjegime të mëtejshme për arsyet e shtyrjes.
Në takimin e planifikuar ishin ftuar ministrat e Jashtëm të Iranit, Irakut, Omanit, Kuvajtit, Bahreinit, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite.
Badr al-Busaidi dhe homologu i tij iranian, Abbas Araghchi, pritej t’u raportonin përfaqësuesve të qeverive për ecurinë e negociatave.
Irani dhe Omani kërkojnë mekanizëm për trafikun detar
Teherani dhe Muskat kanë zhvilluar prej disa javësh negociata për krijimin e një mekanizmi që do të rregullonte trafikun detar përmes Ngushticës së Hormuzit.
Kjo rrugë ujore është një pikë strategjike për tregtinë globale, veçanërisht për transportin e naftës, gazit dhe plehrave kimike.
Për udhëheqjen iraniane, Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një instrument të rëndësishëm presioni në përplasjen me Shtetet e Bashkuara.
Pas shpërthimit të luftës në fund të shkurtit, Irani kufizoi ndjeshëm lëvizjen e anijeve nëpër ngushticë, duke përdorur kërcënime dhe sulme ndaj mjeteve lundruese.
Para konfliktit, Hormuzi ishte i hapur për trafikun detar. Ndërkohë, Marina amerikane ka vendosur një bllokadë detare ndaj porteve iraniane.
Teherani kërkon lëshime nga SHBA-ja
Në kuadër të negociatave, Irani kërkon lëshime nga qeveria amerikane, në përputhje me ato të parashikuara në një marrëveshje kuadër të arritur në qershor.
Shtyrja e takimit të vendeve të Gjirit vjen në një moment kur Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të ndjeshme të konfliktit dhe një nyje me rëndësi të madhe për sigurinë dhe tregtinë globale.





