-1.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Skema e re për pensionet: Detajet e reja dhe planet për të rritur pensionet në Shqipëri, zbulon Milva Ekonomi

Ish-ministrja dhe deputetja e mazhorancës, Milva Ekonomi, ka zbuluar detaje të reja për pensionistët, duke treguar se qeveria ka menduar një skemë të re për ata brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe ato në zonat urbane dhe rurale.

Ekonomi bën të ditur se prioritet në rritjen e pensionit do të ketë pensionistët që jetojnë në vendin tonë, duke përfshirë edhe ata që janë rezidentë jashtë Shqipërisë, me një diferencim indeksimi të përvjetshëm që bën qeveria.

Ndërkaq, Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka shprehur shqetësimin për punonjësit e ish-kooperativave bujqësore dhe ish-fermave, të cilët vështirësohen të dokumentojnë vitet e punës për shkak të zhdukjes së regjistrave dhe dokumenteve zyrtare.

Pensionistët në Shqipëri janë ndër kategoritë më të diskriminuara në shoqërinë tonë, në aspektin e të ardhurave mujore. Kjo skemë e re për pensionet, sipas Ekonomit, do të jetë e qartë brenda vitit dhe do të marrë në konsideratë dy elemente kryesorë: rezidentët brenda dhe jashtë vendit, si dhe pensionistët urban dhe rural.

“Nuk ka ende detaje konkrete, por në parim dy janë shtyllat kryesore që po shihen. Së pari rezidentët brenda dhe jashtë vendit si dhe pensionistët urban dhe rural. E thënë ndryshe, prioritet në rritjen e pensionit do të kenë ata pensionistë që jetojnë në Shqipëri, më shumë se ata që kanë një rezidencë jashtë Shqipërisë. Natyrisht edhe ata jashtë do të përfitojnë rritje pensioni, por me një diferencim në indeksim që bën qeveria vit pas viti. Këto janë planet e ministrisë së Financave”, tha Ekonomi.

Sakaq, Milva Ekonomi deklaron se ndryshe krahas viteve 91’-92’ ku u përball me ndryshimin e sistemit, në ditët e sotme është punuar për gjetjen e një metodologjie për matjen e minimumit jetik ku janë ngritur instrumente për këtë matje.

“Minimumi jetik është një çështje që ne për herë të parë si koncept, natyrisht jemi përballur kur ka qenë ndryshimi i sistemeve në vitin 91’-92’, sepse atëherë as nuk e kishim konceptin e varfërisë, as nuk e kishim konceptin e papunësisë. Ndërkohë, me vite është punuar që të gjendet një metodologji për të matur minimumin jetik duhet të ishin ngritur disa instrumente për këtë matje. Sot, instrumentet janë konsoliduar pasi në INSTAT bëhet një anketë vjetore që ka të bëj me nivelin e jetesës dhe me të ardhurat e familjeve. Ajo ndjek rregullat me të cilat ndjek këto statistika eurozone BE, që i rekomandon dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ne duke kaluar në procesin e ‘Screening’, i kemi të para dhe të konfirmuara që metodologjitë që ne përdorim janë ato që duhet edhe për matjen e varfërisë. E dyta, është edhe qasja legjislative që duhet t’i bëjmë ne matjes së vendosjes së një minimumi jetik edhe mbështetjes për këtë gjë. Në eurozonë, vendet e ndryshme zgjedhin modelet e ndryshme. Ka vende që këtë gjë e kanë të vendosur në Kushtetutë, ka vende që këtë e kanë me ligj të posaçëm, ka vende që legjislacionin e kanë më fleksibël e të përmisueshëm vit pas viti. Shqipëria ka zgjedhur modelin e tretë, që e ka legjislacionin të përmisueshëm vit pas viti. Zakonisht mbështetet kryesisht mbi dy shtylla kryesore, paga minimale dhe pagesa e mbështetjes sociale (ndihma ekonomike). Nga ana tjetër, të dhënat na ndihmojnë që të kemi dhe një pamje të universit për të parë sa është pjesa e familjeve e individëve të varfër në Shqipëri, të cilët edhe falë përpjekjeve që bën qeveria për të vendosur skema të reja sociale ku sipas të dhënave të INSTAT-it, nga viti 2017-2022, ka ardhur në rënie. Duhet të mos harrojmë që në vitin 2020, patëm goditjen e pandemisë, e cila ishte pan europiane në këtë rast meqë po krahasojmë metodologjitë. Aty patëm një rritje të lehtë të varfërisë. Sot ne flasim që të kemi rreth 20.2 përqind e popullsisë që janë në nivelin e varfërisë, që i kemi në këto kushte. Kur këto shifra analizohen, shikohet edhe situata e tyre e varfërisë, e lidhur dhe me statusin e punësimit, është një tregues i mirë që na shërben për të na orientuar politikat. Ka të varfër që janë në punë, ka të varfër që janë inaktiv, ka të varfër që janë në pension, ka të varfër që janë me aftësi të kufizuar. Për të gjitha këto grupe është menduar një qasje që bëhet përmes ndihmës së politikave sociale që harton Ministria e Çështjeve Sociale. P.sh., ato që janë të varfër me status punësimi e revizionojmë situatën e punës”, tha Ekonomi.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT