Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës zhvilluan një takim për të diskutuar mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual të Kosovës.
Pas takimit, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, deklaroi se palët kishin diskutuar kriteret që duhet të plotësojë presidenti i ardhshëm, por refuzoi të bëjë publikë emra konkretë.
Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se është rënë dakord që në takimin e ardhshëm palët të paraqiten me kandidatura konkrete.
Gjatë takimit, sipas informacioneve të bëra publike, janë diskutuar edhe emrat e profesorit Ibrahim Berisha dhe ish-nënkryetarit të Kuvendit Krahinor në vitet ’90, Iljaz Ramajli.
Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk duket se është i gatshëm të përfshihet në garën për postin e presidentit.
Ibrahim Berisha ka refuzuar të përfshihet në diskutimet për kandidaturën, duke deklaruar se fokusi i tij mbetet te kultura, letërsia dhe komunikimi.
Ndërkohë, familja e Iljaz Ramajlit ka bërë të ditur se ai nuk do ta pranojë kandidaturën për president.
Analisti: VV kërkon një president që nuk i bën konkurrencë Kurtit
Analisti Arnbor Sadiku e sheh me skepticizëm mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për presidentin konsensual.
Sipas tij, Vetëvendosje po kërkon një figurë që nuk ka ambicie të forta politike dhe që nuk do të përbëjë konkurrencë për Albin Kurtin.
“Lëvizja Vetëvendosje po kërkon një president i cili është, le të themi, jo ambicioz në politikë, por një njeri që pothuajse i ka skaduar karriera dhe si i tillë nuk i bën konkurrencë z. Kurtit, por është më tepër si rojtar i shtëpisë”, u shpreh Sadiku.
Ai shtoi se ekziston pak shpresë për gjetjen e një kandidati të përbashkët, pasi, sipas tij, Vetëvendosje që në fillim ka lënë të kuptohet se mund të synojë zgjedhjet e reja.
“Mund të themi që është e vërtetë, e ka pak shpresë që mund të gjendet një opsion, për faktin që partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje, që nga fillimi vërehet që ka synim që vendi të shkojë në zgjedhje”, deklaroi analisti.





