Autoritetet greke po hetojnë përfshirjen e të dënuarit shqiptar Alket Rizai në një incident me të shtëna armësh në një lokal plazhi në Anavyssos, në juglindje të Athinës.
Rizai, i cili ndodhej me leje nga burgu i Domokosit dhe duhej të kthehej të hënën në mëngjes, dyshohet se ishte pjesë e një grupi që po qëndronte në një lokal plazhi.
Sipas dëshmive të mbledhura për ngjarjen, pasi muzika u ndërpre për shkak të orarit të vonë, grupi vijoi të dëgjonte muzikë me zë të lartë në parkingun e lokalit.
Situata më pas është përshkallëzuar në një përplasje me pronarin e lokalit.
Gjatë konfliktit, dëshmitarët pretendojnë se Rizai ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar në ajër. Mediat greke raportojnë se autoritetet po hetojnë rrethanat e incidentit dhe rolin e shqiptarit në të.
Deri në këtë fazë, bëhet fjalë për dyshime dhe dëshmi të personave të pranishëm, ndërsa autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen.





