Tërmeti me magnitudë 8.8 që goditi Kamçatkën në Rusi ka rikthyer në qendër të vëmendjes një nga rajonet më të rrezikshme të globit: Unazën e Zjarrit të Paqësorit.
Kjo zonë gjeologjike, e gjatë mbi 40 mijë kilometra, rrethon Oqeanin Paqësor dhe është e njohur për aktivitetin e lartë sizmik dhe vullkanik. Rreth 90% e tërmeteve në botë dhe tre të katërtat e vullkaneve aktive ndodhen pikërisht përgjatë këtij brezi.
Pse Kamçatka është kaq e rrezikuar?
Gadishulli i Kamçatkës ndodhet në pikën ku pllaka tektonike e Paqësorit rrëshqet nën pllakën e Okhotskut, proces i njohur si subduksion. Ky “përplas” shkakton akumulim të madh presioni në nëntokë, i cili çlirohet me tërmete të fuqishme dhe shpeshherë me shpërthime vullkanike.
Çfarë është Unaza e Zjarrit?
Ky brez fillon nga brigjet e Azisë Lindore, vijon përgjatë Australisë dhe Zelandës së Re, kalon nëpër Amerikën e Veriut e deri në Amerikën e Jugut. Lëvizjet e pandërprera të pllakave tektonike gjenerojnë:
• Tërmete të fuqishme dhe shpesh të thella
• Cuname shkatërruese
• Vullkane aktivë që shpërthejnë rregullisht
Shkencëtarët paralajmërojnë
Ekspertët theksojnë se aktiviteti sizmik në Unazën e Zjarrit nuk do të ndalet. Për këtë arsye, monitorimi me sensorë modernë dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm janë mënyra e vetme për të reduktuar pasojat tragjike për popullsinë.






