Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Tetovës mbrëmë, kur një studente kosovare 25-vjeçare është gjetur e pajetë, pas rënies nga kati i katërt i ndërtesës ku jetonte me qira. Sipas Prokurorisë Themelore Publike në Tetovë, në vendngjarje ka qenë i pranishëm prokurori kujdestar, i cili ka kryer ekspertizë të detajuar në vendin e ngjarjes dhe në banesën e vajzës.
“Po ndërmerren të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar shkaqet e vdekjes me kontrolle dhe ekspertiza të detajuara në vendngjarje, ndonëse të dhënat fillestare dhe gjurmët në terren nuk tregojnë se bëhet fjalë për vdekje si pasojë e një vepre penale”, deklaroi Prokuroria.
Megjithatë, rasti ende konsiderohet si “vdekje e dyshimtë”. Është urdhëruar obduksioni, ndërsa disa persona po merren në pyetje për të zbardhur rrethanat. Burime për Gazetën Express bëjnë me dije se vajza kohëve të fundit kishte pasur mosmarrëveshje me të dashurin e saj, djalin e një biznesmeni nga Maqedonia e Veriut, çka mund të ketë lidhje me ngjarjen.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup ka konfirmuar ngjarjen dhe po qëndron në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet maqedonase, duke ndjekur nga afër hetimet në terren.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet shtetërore po punojnë intensivisht për të sqaruar çdo detaj dhe për të vendosur nëse vdekja ishte aksidentale apo e lidhur me rrethana të tjera.






