Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë urdhëruar hapjen e një hetimi penal për vdekjen e 5-vjeçares palestineze Hind Rajab në Gaza, një rast që ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare.
Hind Rajab ishte një nga shtatë anëtarët e një familjeje që po përpiqej të largohej nga bombardimet në qytetin e Gazës në janar 2024. Automjeti me të cilin udhëtonin u godit nga armë zjarri, duke vrarë disa prej familjarëve të saj.
Vajza mbijetoi fillimisht nga sulmi dhe arriti të kontaktonte me punonjësit e Shoqatës Palestineze të Gjysmëhënës së Kuqe, me të cilët qëndroi në telefon për orë të tëra duke kërkuar ndihmë.
Një ambulancë e dërguar për ta shpëtuar u godit gjithashtu. Disa ditë më vonë, në zonë u gjetën trupat e Hind Rajab, familjarëve të saj dhe dy ndihmësve mjekësorë.
Sipas deklaratës së fundit të IDF-së, pas shqyrtimit të gjetjeve dhe dyshimeve për dështime në koordinimin e lëvizjes së ambulancës, është vendosur që incidenti t’i nënshtrohet një hetimi penal nga Divizioni i Hetimit Penal të Policisë Ushtarake.
Vendimi përbën një ndryshim të rëndësishëm nga qëndrimi i mëparshëm i ushtrisë izraelite. Në hetimin fillestar, IDF kishte deklaruar se nuk kishte trupa izraelite në zonë në kohën e incidentit, raporton BBC.
Rasti i Hind Rajab u bë i njohur ndërkombëtarisht pas publikimit të regjistrimit të telefonatës së saj me punonjësit e Gjysmëhënës së Kuqe, gjatë së cilës ajo kërkonte me dëshpërim që dikush të shkonte për ta shpëtuar.
Hapja e hetimit penal pritet të rikthejë vëmendjen ndërkombëtare te rrethanat e vdekjes së 5-vjeçares dhe te përgjegjësia për sulmin ndaj automjetit ku ajo ndodhej, si edhe ndaj ambulancës së dërguar për ta shpëtuar.





