Një lajm i trishtë ka ardhur nga Turqia, ku 25-vjeçarja nga Durrësi, Ana Dyrmishi, ka ndërruar jetë pas 12 ditësh luftë me jetën.
E reja mbeti e plagosur rëndë nga zjarri që përfshiu mëngjesin e 16 gushtit hotelin “Brooklyn”, në Lungomaren e Vlorës. Si pasojë e flakëve, Dyrmishi pësoi djegie të rënda në rreth 85% të trupit.
Pas trajtimeve fillestare në Shqipëri, 25-vjeçarja u transferua më 18 gusht në Turqi, ku iu nënshtrua trajtimit të specializuar. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua dhe Ana nuk mundi të fitonte betejën me jetën.
Ndarja nga jeta në moshë kaq të re ka rënduar edhe më shumë dhimbjen e familjarëve dhe të afërmve, të cilët tashmë përballen me humbjen e vajzës së tyre.
Sot përcillet për në banesën e fundit
Ceremonia mortore për t’i dhënë lamtumirën e fundit Ana Dyrmishit do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 15:00, në Varrezat e Reja të Durrësit.
Zjarri në hotel plagosi gjashtë persona
Zjarri në hotelin “Brooklyn” shpërtheu në orët e para të mëngjesit të 16 gushtit, duke shkaktuar plagosjen e gjashtë personave.
Situata u përkeqësua me shpejtësi, ndërsa disa prej personave që ndodheshin në hotel u detyruan të hidhen nga godina përmes ballkoneve, në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve.
Humbja e Ana Dyrmishit e rëndon edhe më shumë bilancin tragjik të zjarrit që tronditi Vlorën më 16 gusht.





