Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka zhvilluar një takim koordinues me drejtuesit e strukturave të shërbimit shëndetësor parësor dhe atij spitalor, ku në fokus kanë qenë problematikat me të cilat përballen qytetarët dhe nevoja për një prani më të madhe të drejtuesve në terren.
Takimi ka zgjatur 12 orë, ndërsa Spahiu u ka kërkuar drejtuesve angazhim të përditshëm për identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve që shfaqen në sistemin shëndetësor.
Ministrja ka theksuar se drejtuesit nuk duhet të kufizohen vetëm në punën administrative, por duhet të jenë vazhdimisht pranë institucioneve dhe qytetarëve që marrin shërbim.
Sipas Spahiut, një diskutim i gjatë nuk është i mjaftueshëm nëse problematikat e sistemit nuk ndiqen më pas në terren. Për këtë arsye, ajo ka kërkuar që shqetësimet e qytetarëve të dëgjohen, të kuptohen dhe të shoqërohen me zgjidhje konkrete.
“12 orë diskutim nuk mjaftojnë për të zgjidhur gjithçka që qytetarët presin nga sistemi shëndetësor”, shkroi Spahiu, duke shtuar se çdo orë e kaluar në dëgjimin dhe zgjidhjen e problematikave përbën një investim për përmirësimin e kujdesit shëndetësor.
Ministrja e ka lidhur këtë qasje edhe me mënyrën se si qytetarët priten dhe trajtohen në institucionet shëndetësore. Sipas saj, kujdesi shëndetësor nuk lidhet vetëm me shërbimin mjekësor, por edhe me komunikimin me pacientin dhe vëmendjen ndaj shqetësimeve të tij.
Kërkesa për një prani të vazhdueshme në terren vjen në ditët e para të Spahiut në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, pas marrjes zyrtare të detyrës.
Kontaktin e drejtpërdrejtë me problematikat e sistemit dhe qytetarët që përballen me to, ministrja e ka vendosur ndër prioritetet e para të drejtimit të saj.





