Emiljano Shullazi dhe grupi i tij kanë marrë vulën përfundimtare të dënimit nga Gjykata e Lartë. Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Genti Shala dhe Enton Dhimitri, në dhomë këshillimi, ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të vitit 2021 për gjobëvënie në kuadër të grupit kriminal.
Me vendimin e formës së prerë, Gjykata e Lartë ka konfirmuar në total 55 vite burg për pesë të akuzuarit. Sipas vendimit të dhënë pesë vite më parë, Emiljano Shullazi u dënua me 14 vite burg, ndërsa Endrit Qyqja dhe Endrit Zela morën nga 10 vite burg secili. Ndërkohë, Blerim Shullazi u dënua me 9 vite burg.
Për Gilmando Dani, i cili ishte dënuar me 12 vite burg, Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit, pasi ai ka ndërruar jetë.
Dani, ashtu si të gjithë të akuzuarit e tjerë përveç Emiljano Shullazit, ishte liruar nga qelia. Ai u ekzekutua në një atentat mafioz në nëntor të vitit 2025, pranë rrethrrotullimit të Rinasit, së bashku me mikun e tij, agjentin e AMP-së, Mustafa Sheqeri.
Ndërkohë, Emiljano Shullazi vijon të mbahet në qeli edhe për dy dosje të tjera të Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bëhet fjalë për operacionin “Asgjë nuk harrohet”, që lidhet me vrasjet e vitit 2005 të Vajdin Lame dhe Klodian Saliu, si dhe operacionin “Revanshi”, ku ndaj tij është kërkuar dënimi me 10 vite burg me gjykim të shkurtuar për sigurim kushtesh për të kryer vrasje dhe grup kriminal.






