Në një takim me drejtuesit e Departamenteve të ish-të Përndjekurve Politikë pranë Partisë Demokratike, kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për kthimin e ligjeve të vitit 1946 në favor të grabitjes së pronave.
Berisha deklaroi se qeveria aktuale ka vendosur një regjim antishqiptar, duke e cilësuar Ramën si një nga armiqtë më të mëdhenj të Kosovës, në bashkëpunim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
“Fibra juaj, luftëtarë lirie, atdhetarë, pasardhës të familjeve patriote, sot duhet të ndjehet më aktive se kurrë për shpëtimin e Shqipërisë. Me 11 maj do ta përzëmë këtë regjim, që është armik i lirive të shqiptarëve dhe i Kosovës. Rama dhe Vuçiç kanë bashkëpunuar për ndarjen e Kosovës, kjo është e vërteta,” – u shpreh Berisha.
Kryedemokrati theksoi se Partia Demokratike po punon për një program të ri qeverisës, i cili do të prezantohet së shpejti. Sipas tij, qeveria aktuale, përmes ligjit për investimet strategjike, ka krijuar një situatë katastrofale për pronarët dhe po vendos kontroll mbi pasuritë e qytetarëve.
Në përfundim, Berisha bëri thirrje për mobilizim të plotë kundër qeverisë, duke siguruar se opozita është e vendosur për të sjellë ndryshimin.






