Elvis Kosova, i njohur me nofkën “Visi i garave” ose “Visi i makinave të shpejta”, është arrestuar në Palasë gjatë një operacioni të FNSH-së dhe RENEA-s.
40-vjeçari është kapur me një armë zjarri që dyshohet se e mbante pa leje, ndërsa emri i tij është i njohur për Policinë edhe për ngjarje të mëparshme.
Sipas burimeve të “Shekulli”-t, Kosova u arrestua mëngjesin e sotëm në Palasë. Gjatë kontrollit, efektivët i gjetën një armë zjarri, e cila dyshohet se mbahej pa leje.
Por emri i 40-vjeçarit ishte bërë i njohur më herët për autoritetet.
Në korrik 2025, në garazhin e tij në rrugën “Peti” u vendos tritol. Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale në disa automjete që ndodheshin të parkuara aty.
Një vit më parë, në gusht 2024, Elvis Kosova ishte arrestuar nën dyshimin se kishte përvetësuar një automjet luksoz Audi R8, me vlerë rreth 200 mijë euro.
Sipas hetimeve të asaj kohe, automjeti ishte marrë me qira në Gjermani nga një shtetas turk dhe më pas kishte mbërritur në Shqipëri. Policia dyshonte se automjeti i ishte dorëzuar Kosovës, i cili më pas dyshohej se kishte manipuluar situatën për ta përvetësuar makinën.
Shtetasi turk kishte bërë kallëzim në Policinë shqiptare, duke pretenduar se Audi R8 i ishte vjedhur pranë një hoteli në zonën e stadiumit “Air Albania”. Për këtë ngjarje, bashkë me Kosovën ishte arrestuar edhe shtetasi turk.
Tashmë, arrestimi i fundit në Palasë e rikthen 40-vjeçarin në vëmendjen e autoriteteve, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë rrethanat e posedimit të armës së zjarrit dhe përgjegjësinë e tij ligjore.





