Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 39-vjeçar nga Tirana, i cili gjatë një konflikti për motive të dobëta ka kërcënuar me armë sportive punonjësit e Policisë Bashkiake, duke u prezantuar si pjesëtar i strukturave ligjzbatuese.
Në kuadër të operacionit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Durrësit arrestuan në flagrancë shtetasin G. K., 39 vjeç, ndërsa u sekuestrua arma sportive e llojit pistoletë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe apelon për bashkëpunim nga qytetarët në denoncimin e rasteve të paligjshmërisë.






