Gjashtë personat e arrestuar në operacionin e madh të SPAK kundër rrjetit ndërkombëtar të trafikut të kokainës, dolën sot para Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për caktimin e masave të sigurisë.
Surpriza e seancës ishte lirimi i menjëhershëm i njërit prej tyre. Ilir Lloshi u la i lirë nga trupa gjykuese, pasi u provua se ishte ndaluar gabimisht. Të dhënat operacionale kishin përputhje vetëm në gjeneralitete dhe vendbanim, por jo në identitet.
Në sallën e gjyqit, Lloshi u shpreh:
“Nuk kam lidhje me këto punë, unë s’kam dalë asnjëherë jashtë shtetit”.
Ballafaqimi me bashkëpunëtorin e drejtësisë, Erion Alibej, si dhe fotot e paraqitura në seancë, konfirmuan se ai nuk është personi që dyshohet i përfshirë në trafikun ndërkombëtar.
Për pesë të arrestuarit e tjerë u la në fuqi masa “arrest me burg”. Vëllezërit Hoxhosmani kanë mohuar akuzat dhe përdorimin e aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC”, ndërsa një tjetër i arrestuar kërkoi masë më të butë sigurie për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Plarent Dervishaj u largua nga salla para vendimit, pasi u paralajmërua nga gjykata të mos fliste pa leje.
Hetimet e SPAK
Sipas SPAK, rrjeti kriminal operonte prej vitesh duke trafikuar tonelata kokaine nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt porteve të mëdha në Belgjikë, Holandë, Francë, Itali e deri në Britaninë e Madhe, duke përdorur metoda të sofistikuara fshehjeje si paleta druri, thasë kakaoje apo arka me banane.
Grupi kishte një strukturë të qartë hierarkike dhe komunikonte përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky/ECC”, ku jepeshin urdhra, koordinoheshin rrugët e transportit dhe shmangeshin kontrollet doganore.
Operacioni çoi në sekuestrimin e mbi 6 ton kokainë me vlerë tregu rreth 411 milionë euro dhe goditjen e një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut ndërkombëtar.






