Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Plasë të Maliqit në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku një 45-vjeçar është gjetur pa shenja jete, i varur në kangjellat e murit rrethues të një banese.
Sipas burimeve nga policia lokale, viktima nuk ishte banor i shtëpisë ku u gjet trupi. Dyshohet se ai ka tentuar të hyjë në oborr, por gjatë ngjitjes bluza i është kapur në kangjella, duke i shkaktuar mbytje të menjëhershme.
Nga hetimet e para, nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e viktimës, ndërsa paraprakisht mendohet se ngjarja ka qenë aksidentale. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se 45-vjeçari mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit në momentin e incidentit, çka mund të ketë ndikuar në humbjen e ekuilibrit dhe në pasojën tragjike.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe ekspertët e kriminalistikës, të cilët po kryejnë veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave. Trupi i pajetë është dërguar në morgun e Spitalit të Korçës për ekzaminim mjeko-ligjor.






