25.5 C
Tiranë
Monday, August 31, 2026

“Misioni i Drejtësisë 2025”, Pekini simulon bllokadën e Tajvanit – Manovra më e madhe ushtarake e Kinës vë në provë SHBA-në dhe sigurinë rajonale

Manovra më e madhe ushtarake e Pekinit prej vitesh ka nisur zyrtarisht përreth Tajvanit, duke simuluar një bllokadë të plotë të ishullit dhe duke vënë në sprovë vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara si dhe stabilitetin e sigurisë në rajon. Ndërkohë, tensionet politike mes palëve po përshkallëzohen ndjeshëm.

Ushtria kineze nisi të hënën stërvitjen e saj më të madhe ushtarake përreth Tajvanit, e cila përfshin edhe përdorimin e armëve me zjarr real. Gjatë kësaj stërvitjeje do të simulohet bllokimi i porteve kryesore të Tajvanit, një skenar që shihet si paralajmërim i drejtpërdrejtë ndaj autoriteteve në Taipei dhe aleatëve të tyre.

Pekini pretendon se Tajvani është territor kinez dhe ka deklaruar vazhdimisht se synon ta “ribashkojë” ishullin me Kinën, edhe me forcë nëse do të jetë e nevojshme. Stërvitja, e koduar “Misioni i Drejtësisë 2025”, sipas autoriteteve kineze shërben si një paralajmërim i ashpër kundër asaj që Pekini e cilëson si “forca separatiste” dhe “ndërhyrje të huaj” në Tajvan. Lajmi u bë i ditur nga agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua, e cila theksoi se stërvitja pritet të zgjasë dy ditë.

Nga ana tjetër, Tajvani i ka hedhur poshtë pretendimet territoriale të Kinës dhe i ka bërë thirrje Pekinit “të mos e gjykojë gabim situatën dhe të mos bëhet shkaktar problemesh në rajon”. Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit e ka dënuar këtë veprim si “irracional”, duke bërë të ditur se ka ngritur një qendër reagimi ndaj emergjencave dhe ka mobilizuar forcat e nevojshme për t’u përgjigjur ndaj çdo skenari.

“Misioni i Drejtësisë 2025” dhe skenari i bllokadës

Në një deklaratë zyrtare, ushtria kineze njoftoi se forca të shumta do të kryejnë stërvitje përreth Tajvanit “në afërsi dhe nga drejtime të ndryshme”, me qëllim testimin e aftësive për operacione të përbashkëta. Shi Yi, zëdhënës i Komandës së Krahut Lindor të ushtrisë kineze, tha se stërvitja do të përqendrohet në patrullime detare dhe ajrore të forcave të gatishmërisë luftarake, mbylljen e porteve dhe zonave kyçe, si dhe zhvillimin e operacioneve të parandalimit shumëdimensional.

“Kjo përbën një përpjekje për të fituar epërsi ajrore dhe detare dhe për të ndërprerë mbështetjen e jashtme ushtarake,” tha për DW studiuesi Su Tzu-yun nga Instituti i Mbrojtjes Kombëtare dhe Kërkimeve për Sigurinë në Taipei.

Kjo manovër shënon raundin e shtatë madhor të stërvitjeve ushtarake të Kinës përreth Tajvanit që nga viti 2022, kur ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, vizitoi ishullin, një vizitë që shkaktoi reagim të ashpër nga Pekini.

Pekini teston reagimin e Uashingtonit

Operacioni i fundit ushtarak vjen vetëm disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan një paketë të re shitjeje armësh për Tajvanin, me vlerë 11.1 miliardë dollarë. Nëse miratohet nga Kongresi amerikan, kjo do të jetë marrëveshja më e madhe e armatimit mes SHBA-së dhe Tajvanit deri më sot.

“Ushtria kineze po teston se si do të përgjigjet qeveria amerikane,” shprehet William Yang, analist për Azinë Verilindore pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Javën e kaluar, Pekini vendosi sanksione ndaj 20 kompanive ushtarake amerikane dhe 10 drejtuesve të tyre, si reagim ndaj shitjes së armëve për Tajvanin. Megjithatë, sipas Yang, këto masa janë kryesisht “simbolike” dhe me ndikim të kufizuar real.

Në strategjinë e re të sigurisë kombëtare të publikuar në fillim të këtij muaji, administrata e Presidentit Donald Trump thekson konkurrencën tregtare me Kinën. Ndërkohë, në raportin më të fundit të Pentagonit drejtuar Kongresit amerikan, vihet në dukje modernizimi i shpejtë ushtarak i Kinës dhe përgatitjet e mundshme për një pushtim të Tajvanit.

Sipas analistëve, me nisjen e këtij raundi të ri stërvitjesh, Pekini mund të jetë duke testuar edhe nëse SHBA-ja do të reagojë me masa të forta apo do të ndjekë një qasje më të kujdesshme, për të mos ndikuar negativisht në marrëdhëniet dypalëshe përpara vizitës së paralajmëruar të Presidentit Trump në Kinë vitin e ardhshëm. Në nëntor, Trump deklaroi se kishte pranuar ftesën për të vizituar Pekinin në prill të vitit 2026 dhe njëkohësisht ftoi Presidentin kinez Xi Jinping për një vizitë shtetërore në Shtetet e Bashkuara.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Sondazhi trondit skenën politike në Serbi, studentët parakalojnë Vuçiçin: 48.5% kundrejt 38.6%

0
Një skenar i ri elektoral në Serbi ka nxjerrë në avantazh lëvizjen studentore, e cila, nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin sipas modelit të...

Vasili për udhëtimin e Berishës drejt SHBA-së: “E gjithë strategjia ‘non grata’ u shemb...

0
Ish-deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës pas njoftimit për udhëtimin e Sali Berishës drejt...

Berisha paralajmëron për reformën territoriale: “PD synon një hartë me 100 bashki”, sulmon qeverinë...

0
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me qytetarët në...

Skafi pësoi defekt dhe u mbush me ujë/ 8 persona rrezikuan të mbyteshin pranë...

0
Një skaf me 8 persona në bord ka rrezikuar të fundosej në ujërat pranë Spillesë, pasi pësoi defekt në motor dhe u mbush me...

Ekzekutohet me armë zjarri 69-vjeçari në Napoli, ishte liruar nga burgu dhe dyshohej si...

0
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mbrëmjen e së dielës, 30 gusht, qytetin e Pimonte, në zonën e Napolit, ku 69-vjeçari Raffaele Afeltra...