Policia njofton se ka sekuestruar 24.530 euro të padeklaruara, si dhe ka proceduar penalisht shtetasin J. D., 67 vjeç, banues në fshatin Shegas, Lushnjë.
Njoftimi i policisë
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me autoritetet doganore, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar edhe në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm automjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin J. D., 67 vjeç, banues në fshatin Shegas, Lushnjë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij, në një çantë, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 24.530 euro, sasi të cilën ky shtetas nuk e kishte deklaruar.
Veprimet e mëtejshme u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët filluan procedimin penal ndaj këtij shtetasi për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.