Një ngjarje e rëndë ka tronditur Vlorën, ku një fëmijë 4-vjeçar ka ndërruar jetë ditën e premte, pasi është paraqitur pa shenja jete në spital.
Familja e të miturit, që banon në Palasë, e ka transportuar fillimisht me urgjencë drejt Orikumit. Sipas burimeve, ambulanca e Orikumit e ka marrë fëmijën pa shenja jete dhe e ka dërguar për ndihmë mjekësore, por pa mundur të bëhet asgjë për ta shpëtuar.
Ekzaminimi paraprak mjekësor nuk ka konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera në trupin e fëmijës. Mësohet se 4-vjeçari kishte rreth një javë që shfaqte probleme shëndetësore, përfshirë temperaturë të lartë, të vjella dhe diarre.
Autoritetet shëndetësore dhe mjeko-ligjore kanë nisur ekzaminimet e mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes, ndërsa rasti po trajtohet me prioritet për shkak të moshës së vogël të viktimës.






