Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, reagoi ashpër pas përplasjeve dhe tensioneve të dhunshme që shpërthyen gjatë protestës kundër Olimpiadës Milano-Cortina 2026. Ajo dënoi aktet e vandalizmit dhe sulmet ndaj forcave të rendit, duke theksuar se ndërsa mijëra italianë punojnë për të siguruar një organizim të denjë, një pakicë po përpiqet të dëmtojë imazhin e vendit.
“Mijëra italianë po punojnë pa u lodhur që gjithçka të funksionojë gjatë Lojërave Olimpike. Shumë prej tyre janë vullnetarë, sepse duan që kombi i tyre të admirohet dhe të respektohet,” tha Meloni, duke shtuar se “pastaj ka të tjerë, armiqtë e Italisë, që protestojnë kundër Olimpiadës, duke bërë që këto pamje të transmetohen në televizionet e gjysmës së botës.”
Kryeministrja nënvizoi se disa persona kishin sabotuar infrastrukturën hekurudhore, duke prenë kabllot e trenave dhe penguar nisjen e shërbimeve, duke dëmtuar rëndë organizimin dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
“Shpreh solidaritet të plotë ndaj forcave të rendit, qytetit të Milanos dhe të gjithë atyre që po punojnë për t’i shërbyer qytetarëve, ndonëse përpjekjet e tyre po njollosen nga këto banda delinkuente,” përfundoi Meloni.






