Lamborghini ka vendosur të anullojë modelin e saj të parë tërësisht elektrik, Lanzador, i cili ishte planifikuar të vinte në prodhim në vitin 2028. Vendimi vjen pas tre vitesh debat dhe testime të brendshme, me drejtuesit e markës italiane që konstatuan se klientët e nivelit të lartë nuk janë të gatshëm të blejnë një makinë pa motor V8 ose V12.
Drejtori ekzekutiv Stephan Winkelmann tha për The Sunday Times se interesi për një Lamborghini elektrik është “afër zeros”, duke e konsideruar një investim të madh në EV si një “hobi të shtrenjtë dhe financiarisht të papërgjegjshëm”. Ai shtoi se kompania ka vendosur të mos rrezikojë suksesin e markës duke detyruar klientët të kalojnë në automjete plotësisht elektrike.
Megjithatë, Lanzador nuk do të zhduket plotësisht. Lamborghini planifikon të lansojë një version hibrid plug-in me motor benzine deri në fund të dekadës, ndërsa modeli i ardhshëm Urus gjithashtu do të vijë në variant hibrid, duke shmangur plotësisht EV-të. Winkelmann argumenton se makina me djegie ofron një “lidhje emocionale” që automjetet elektrike nuk mund ta zëvendësojnë.
Ky vendim tregon qartësisht kufizimet që hasin markat ekzotike italiane në rrugën drejt elektrifikimit, pavarësisht presionit të Bashkimit Evropian për dekarbonizim dhe automjete elektrike. Lamborghini duket se ka zgjedhur një kompromis: të kënaqë rregullatorët dhe klientët e saj, duke mbajtur në portofol motorrët klasikë me djegie dhe duke ofruar zgjidhje hibride plug-in.






