Darling Banushaj ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Partisë Demokratike, Dega Vlorë, duke theksuar nevojën për bashkim dhe një drejtim të ri për strukturat e partisë në qytet.
Përmes një mesazhi drejtuar anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike, Banushaj u shpreh se vendimi për të kandiduar ka ardhur pas një reflektimi të gjatë dhe nga bindja se dega e PD-së në Vlorë ka nevojë për më shumë organizim dhe përgjegjësi.
“Partia Demokratike në Vlorë ka nevojë për bashkim, përgjegjësi dhe një drejtim të qartë për të ardhmen”, thekson ai në deklaratën e tij.
Sipas Banushajt, kandidatura e tij synon të kontribuojë në forcimin e strukturave të partisë, rritjen e bashkëpunimit mes demokratëve dhe ndërtimin e një vizioni të qartë për të ardhmen e PD-së në qytetin e Vlorës.
Ai thekson gjithashtu se përmes dialogut, respektit dhe punës së përbashkët mund të ndërtohet një parti më e fortë dhe më e besueshme për qytetarët.
Në fund të mesazhit të tij, Banushaj u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike, Dega Vlorë, që të marrin pjesë në procesin e votimit dhe të kontribuojnë për një proces demokratik dhe transparent.






