Gazetarja Klodiana Lala ka folur për aksionin e SPAK ndaj grupit të dyshuar të drejtuar nga Jetmir Pepa, i akuzuar për trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Sipas Lalës, hetimet janë bazuar në të dhëna të platformës së enkriptuar SKY ECC, ku janë zbuluar komunikime që kanë çuar në identifikimin e disa episodeve të trafikut të drogës.
Ajo tha se SPAK ka firmosur 11 urdhër-arreste, ku objekt kryesor është Jetmir Pepa, i konsideruar si drejtues i grupit kriminal dhe aktualisht në kërkim.
“SPAK ka firmosur 11 urdhër arreste, më kryesori Jetmir Pepa… Konsiderohet kreu i grupit…”
Sipas deklarimeve të saj, nga hetimet rezultojnë të paktën 8 episode trafiku, me rreth 7.5 ton kokainë të transportuar kryesisht nga Ekuadori drejt porteve në Belgjikë dhe Holandë, me destinacione të ndryshme në Europë.
“Janë 7.5 ton kokainë… të transportuara nga Ekuadori në Hollandë ose Belgjikë…”
Lala theksoi se mënyrat e fshehjes së lëndës narkotike kanë qenë të ndryshme, përfshirë paketime në produkte ushqimore si konserva peshku apo rrush i thatë.
“Futej në rrush të thatë, konserva peshku…”
Ajo shtoi se hetuesit dyshojnë për sasi shumë më të mëdha të trafikuara që nuk janë kapur, ndërsa një pjesë e grupit dyshohet se ka funksionuar edhe përmes kompanive të ndërtimit dhe kontratave publike.
Sipas saj, kompania e lidhur me grupin ka përfituar dhjetëra tendera publikë dhe projekte të rëndësishme infrastrukturore, me vlera që në total dyshohet të arrijnë rreth 70 milionë euro.
“Në Bashkinë e Tiranës… kishte fituar 12 tendera…”
Hetimet vijojnë, ndërsa disa nga të dyshuarit janë arrestuar, ndërsa të tjerë mbeten në kërkim jashtë vendit.






