Pamja e një furgoni të kuq dhe një gruaje me shami pranë tij duke iu afruar fëmijëve, e cila ka qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale, ka shkaktuar shqetësim mes prindërve dhe debat publik mbi sigurinë e fëmijëve në hapësirat publike. Për këtë rast ka folur në studion e emisionit “Dita Jonë” në A2 CNN eksperti i sigurisë Fatjon Softa, i cili e analizoi situatën duke e ndarë në disa skenarë të mundshëm.
“Nëqoftëse do ta analizojmë këtë pamje, ka tre situata. Si semafori: jeshilja, e verdha dhe e kuqja. Jeshilja është një situatë që grupe të caktuara shoqatash mund të kryejnë aktivitet. Zakonisht përdorin aktivitete të tilla që shpërndajnë materiale të ndryshme ku kontaktojnë kryesisht fëmijë, por dhe prindër; skenari i dytë mund të jenë aktivitete të cilat shkojnë te ndikimi ideologjik; e treta mund të jenë tentativa për rrëmbim, gjë që është një mundësi fare e vogël, pothuajse e pamundur. Dhe kur them e pamundur do të thotë që nuk kemi statistika në Shqipëri që të rezultojnë rrëmbime fëmijësh. Por, duhet shtuar vëmendja ndaj fëmijëve, kryesisht nga ana e prindërve në radhë të parë, por dhe të institucioneve të sigurisë që e kanë detyrim ligjor”, tha Softa.
Ai shtoi se rasti duhet verifikuar për të shmangur panikun dhe për të sqaruar opinionin publik, duke theksuar se shqetësimi i prindërve është i kuptueshëm.
Më tej, eksperti listoi edhe disa elementë që sipas tij ngrejnë pikëpyetje në video:
“E para, furgoni nuk ka logo. Nëqoftëse flasim për një organizatë, ajo zonja duhet të ketë një uniformë, një ‘badge’ apo diçka. Dhe xhamat e zinj të furgonit. Pse duhet të jetë një makinë me xhama të zi? Çfarë fsheh, çfarë ka brenda? Dhe pse i fshihet kamerës? I fshihet ndoshta për shkak të fesë, i fshihet për shkak të turpit apo i fshihet ndoshta për veprimet që ajo bën? Aq më tepër ndjeshmëria ndaj fëmijëve sepse shqiptarët kanë në memorje të freskët ato lajme të ardhura nga Italia, ku ka pasur tentativa në supermarkete për rrëmbime fëmijësh. Ky rast duhet të zbardhur dhe sa më parë, që të qetësojë komunitetin e prindërve, të qetësojë të gjithë se s’ka njeri të mos ketë nipër dhe mbesa.”
Softa shtoi gjithashtu se në Shqipëri rastet e raportuara si rrëmbime janë në shumicën dërrmuese brenda familjes:
“Shqipëria ka pasur disa elementë rrëmbimi, por kryesisht kanë qenë brenda familjarëve. Ka qenë rasti kur gjyshërit e morën fëmijën, nuk e raportuan dhe ishte nëna që bëri denoncimin derisa gjetën vendndodhjen e tyre. Kjo përbën rreth 80% të rasteve. Ne jemi një vend i vogël, e njohim territorin, njohim njëri-tjetrin dhe kjo mundësi është më e vogël”, theksoi ai.






