Zbardhen detaje të reja nga atentati i rëndë në Balldren të Lezhës, ku u ekzekutuan Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, ndërsa në fokus të hetimeve është pista e hakmarrjes për një konflikt të vjetër.
Sipas burimeve hetimore, mes të shpallurve në kërkim është edhe Renato Mhillaj, i cili ishte vetëm 13 vjeç në vitin 2016, kur babai i tij, Genc Mhillaj, u vra me armë zjarri. Ai dyshohet se ka bashkëpunuar me kushërinjtë e tij, Adriano Mhillaj (22 vjeç) dhe Florin Mhillaj (36 vjeç), për organizimin dhe kryerjen e atentatit.
Konflikti mes dy familjeve daton që nga viti 2016, kur për vrasjen e Genc Mhillajt u akuzuan Kreshnik Mujeci dhe kushëriri i tij, Jozef Mujeci. Të dy u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër në vitin 2018, vendim që u la në fuqi edhe nga Apeli në vitin 2019. Megjithatë, në tetor të vitit 2024, Gjykata e Lartë e riktheu çështjen për rigjykim, duke e lënë dosjen ende të hapur.
Ngjarja kulmoi më 26 prill 2026, rreth orës 14:50, në aksin Balldren–Torovicë, ku çifti u qëllua me breshëri armësh teksa udhëtonte me automjet.
Sipas policisë, autorët kanë përdorur dy mjete: një “Audi A4” për ndjekje dhe një “Volkswagen” pa targa për të bllokuar rrugën e viktimave, përpara se të hapnin zjarr. Në vendngjarje janë gjetur rreth 30 gëzhoja.
Hetimet vijojnë për kapjen e tre të dyshuarve, ndërsa pista kryesore mbetet ajo e hakmarrjes për konfliktin e hershëm mes familjeve.






