Një situatë shqetësuese është raportuar në zonën e pyllit të Hidrovorit në Akërni, ku është konstatuar prani gazi në nëntokë, duke çuar në vendosjen e menjëhershme të masave të sigurisë.
Në terren është vendosur një tabelë paralajmëruese me mbishkrimin “Prani gazi, mos kalo – është e rrezikshme”, ndërsa zona është rrethuar me shirit sigurie për të kufizuar hyrjen e qytetarëve.
Sipas burimeve, një kompani private që ka kryer shpime për studimin e tokës në ditët e fundit, ka zbuluar praninë e gazit gjatë punimeve në vijën bregdetare të zonës. Mësohet se sondat e shpimit kanë arritur deri në rreth 70 metra thellësi.
Prania e gazit dyshohet të jetë konstatuar rreth 10 ditë më parë, ndërsa deri tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi natyrën e zbulimit apo mbi hapat që do të ndërmerren më tej nga autoritetet përgjegjëse.
Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë në zonë, ndërsa pritet një reagim institucional për të sqaruar situatën dhe për të vlerësuar rreziqet e mundshme.






