Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka reaguar zyrtarisht pas raportimeve ndërkombëtare se disa linja ajrore në botë janë detyruar të reduktojnë fluturimet për shkak të rritjes së çmimit të karburantit.
Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, TIA thekson se situata në Shqipëri është plotësisht e qëndrueshme dhe se operimet ajrore po zhvillohen normalisht, pa ndërprerje apo vonesa të lidhura me furnizimin me karburant.
Sipas aeroportit, të gjitha fluturimet vijojnë sipas planifikimit të paracaktuar, ndërsa furnizimi me karburant për avionët është i garantuar, duke siguruar vazhdimësinë e plotë të shërbimeve për kompanitë ajrore që operojnë nga Tirana.
“Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës vijojnë normalisht. Të gjitha operimet po zhvillohen sipas planifikimit, ndërsa furnizimi me karburant garanton vazhdimësi të plotë dhe të sigurt të shërbimit për të gjitha linjat ajrore”, thuhet në reagimin zyrtar.
Në të njëjtin njoftim, TIA nënvizon se prioritet kryesor mbetet siguria e pasagjerëve dhe ofrimi i një shërbimi të besueshëm udhëtimi.
“Prioriteti ynë mbetet gjithmonë siguria dhe një eksperiencë e besueshme për çdo pasagjer”, thekson më tej aeroporti.






