Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar një kontroll të befasishëm në Burgu i Fushë-Krujës, ku janë sekuestruar telefona celularë, mjete të improvizuara të mprehta dhe sende të tjera të palejuara.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni nisi të mërkurën në orën 17:30 dhe përfundoi rreth orës 19:30. Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan 3 telefona celularë, 3 ora/telefon, si edhe sende të tjera që bien ndesh me rregullat e sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Kontrolli u drejtua nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, së bashku me Drejtorin e Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta.


Në reagimin e saj, Drejtoria e Burgjeve thekson se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë në të gjitha institucionet penitenciare të vendit.
“Çdo tentativë për të cenuar sigurinë, rendin dhe rregullin në institucionet e vuajtjes së dënimit do të goditet menjëherë dhe pa kompromis. Askush nuk është mbi rregullat. Toleranca është zero”, thuhet në deklaratë.






