Nuk ka zgjatur shumë relaksimi i bizneseve në përdorimin e shërbimeve që kryhen vetëm online përmes platformës qeveritare E-Albania, pasi përdoruesit raportojnë sërish probleme me aksesin dhe funksionimin e shërbimeve.
“Ka disa ditë që nuk arrij të bëj një aplikim”, thotë një ekonomist, ndërsa një tjetër tregon për gabime në formularë gjatë procedurave në Qendra Kombëtare e Biznesit, duke bërë që aplikimet të refuzohen.
Kontabilistë dhe ekonomistë raportojnë gjithashtu probleme me platformën “SelfCare”, e përdorur për faturimin elektronik dhe fiskalizimin, e cila sipas tyre funksionon me ndërprerje dhe akses të paqëndrueshëm.
Bizneset thonë se prej muajsh përballen me ndërprerje të shërbimeve, vonesa dhe performancë të paqëndrueshme të sistemit, duke ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin e tyre të përditshëm.
Problematikat vijnë pavarësisht investimeve të konsiderueshme në infrastrukturën digjitale dhe rritjes së fondeve për e-qeverisjen, ndërsa autoritetet dhe institucionet përgjegjëse janë vënë më herët nën hetim për menaxhimin e fondeve në sektorin e teknologjisë së informacionit.
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka paralajmëruar më herët se mungesa e auditimit dhe standardeve të qëndrueshme në sistemet digjitale publike mund të sjellë rreziqe për bizneset dhe sigurinë e të dhënave.






