Një anëtar i komitetit të sigurisë kombëtare të parlamentit iranian ka lëshuar kërcënime të forta ndaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në lidhje me bllokadën e vazhdueshme detare të porteve iraniane.
Ali Khezrian deklaroi për transmetuesin shtetëror IRIB se “nga tani e tutje, veprimet e SHBA-së për bllokadë detare do të përballen me një përgjigje ushtarake nga Irani”.
Zyrtari iranian paralajmëroi gjithashtu se marina amerikane mund të përballet me pasoja të rënda në rast përshkallëzimi të situatës.
“SHBA duhet të sigurojë disa eskorta për shkatërruesit e saj, në mënyrë që marinarët amerikanë të shpëtohen nëse anija e tyre fundoset”, u shpreh ai.
Deklaratat vijnë pasi ushtria amerikane njoftoi se kishte “çaktivizuar” dy anije cisterna iraniane me naftë, të cilat sipas saj po përpiqeshin të kalonin përmes bllokadës detare.
Ndërkohë, Donald Trump ka deklaruar më herët gjatë kësaj jave se bllokada do të vazhdojë, duke theksuar se “askush” nuk do ta sfidojë atë.






