Donald Veshaj duket se po hedh një hap të madh larg televizionit, duke hyrë zyrtarisht në tregun e ndërtimit dhe investimeve imobiliare. Emri i tij është përfshirë në një projekt ambicioz për ndërtimin e një kulle gjigante në Vlorë, që pritet të jetë një nga zhvillimet më të mëdha urbane në zonën bregdetare.
Sipas dokumenteve të publikuara, projekti parashikon ndërtimin e një godine me 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë, e konceptuar si kompleks rezidencial dhe hoteleri. Projekti është paraqitur për miratim pranë Këshilli Kombëtar i Territorit, institucioni që drejtohet nga kryeministri Edi Rama.
Historia e investimit nis në vitin 2024, me krijimin e kompanisë “DGC” sh.p.k., ku Donald Veshaj rezulton pjesë e strukturës së biznesit. Më pas, në kompani janë përfshirë edhe ortakë të tjerë, duke e kthyer projektin në një sipërmarrje më të gjerë financiare dhe ndërtimore.
Zhvillimi ka sjellë reagime dhe diskutime në rrjet, pasi gjithnjë e më shumë personazhe të njohur të ekranit po afrohen me sektorin e ndërtimit, një nga tregjet më fitimprurëse në vend.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse projekti do të marrë miratimin përfundimtar dhe nëse emri i Donald Veshaj do të lidhet jo vetëm me televizionin dhe spektaklin, por edhe me një nga kullat më të mëdha që pritet të ngrihen në bregdetin shqiptar.






