Vëllezërit Donald Veshaj dhe Romeo Veshaj janë rikthyer në qendër të mediave rozë, këtë herë për zhvillimet në jetën e tyre personale dhe biznesore.
Sipas raportimeve, Donald Veshaj ka hyrë në fushën e investimeve në ndërtim. Ai themeloi në mars 2024 kompaninë “DGC” sh.p.k., së bashku me Glenis Çobon, me aktivitet në sektorin e ndërtimit dhe investimeve. Më vonë, kompania “Anchor Investment”, në pronësi të biznesmenit Albi Shyti, bleu 50% të aksioneve të shoqërisë, ndërsa më pas u aplikua për ndërtimin e një kulle 33-katëshe në Vlorë.
Nga ana tjetër, Romeo Veshaj është përfolur për një marrëdhënie të afërt me biznesmenen Silvana Kulla, e njohur në sektorin e makinerive të drurit. Raportimet pretendojnë se marrëdhënia mes tyre ka nisur prej disa vitesh dhe është mbajtur larg vëmendjes publike, ndërsa publikisht është prezantuar si “miqësi familjare”.
Në artikull përmendet gjithashtu se Romeo ka hapur së fundmi platformën mediatike “X Media”, ku sponsorë kryesorë thuhet se janë kompani të lidhura me biznesmenen në fjalë.
Më herët, Romeo Veshaj ka qenë në një lidhje publike me këngëtaren Jonida Maliqi, marrëdhënie që tërhoqi vëmendje të madhe mediatike për diferencën në moshë mes tyre.
Asnjë prej personave të përmendur nuk ka reaguar publikisht lidhur me pretendimet e fundit të publikuara në media.






