Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka shkëmbyer replika të forta në Kuvend me deputeten socialiste Elisa Spiropali, gjatë seancës plenare.
Teksa mbante fjalën në sallë, Berisha ironizoi Spiropalin duke iu referuar marrëdhënies së saj me kryeministrin Edi Rama.
“Dhe ju që po më shihni atje, do u bëj një pyetje unë këtu, si ka mundësi që ajo e quan Pallosh i Gjatë dhe ai bën gjithçka për ta mbrojtur, kurse ti e quan Skënderbe dhe të flak. Cila është arsyeja?”, deklaroi Berisha nga foltorja e Kuvendit.
Pas deklaratës së tij reagoi Spiropali, e cila akuzoi Berishën për kontradikta politike dhe për rolin e tij në sistemin që, sipas saj, ai vetë e denoncon.
“Sali, je i pabesueshëm sepse je njëkohësisht edhe denoncuesi më i madh, edhe garantuesi më i madh i sistemit. Kur të çlirosh sistemin, kur të çlirosh partinë, opozitën, mund të flasim këtu dhe ndoshta termat doktor do të të ngjisin më shumë”, iu përgjigj Spiropali.
Deputetja socialiste shtoi më tej se kjo kontradiktë politike e Berishës i bën qytetarët të mos i besojnë deklaratave të tij.
“Sot për sot, kontradikta e të qenit edhe denoncues, edhe garantues, u jep qytetarëve të drejtën mos të të besojnë”, përfundoi ajo.






