Përqendrimi i tenderave të institucioneve kryesore shtetërore në sektorin e teknologjisë dhe sistemeve elektronike ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e menaxhimit të kontratave publike me vlera miliona euro.
Sipas të dhënave të publikuara në Buletinin e Prokurimeve Publike më 11 maj 2026, janë hapur 7 procedura të mëdha për mirëmbajtjen e sistemeve elektronike shtetërore, me një fond total prej rreth 7.6 miliardë lekësh me TVSH.
Procedurat janë firmosur nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara dhe, sipas dokumenteve, parashikohet të zhvillohen “brenda korrikut 2026”, pa afate konkrete për datat e garës.
Ndër tenderët me vlerën më të lartë përfshihet kontrata për mirëmbajtjen e sistemit “e-Taxation” për Tatimet, me fond limit rreth 2.7 miliardë lekë. Një tjetër procedurë me vlerë të konsiderueshme lidhet me sistemin “e-Kontrolli” të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, me fond limit 2.52 miliardë lekë.
Në listë përfshihen gjithashtu tenderë për mirëmbajtjen e sistemeve të Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, sistemit të Provimit të Shtetit për Profesionet e Rregulluara, databazës së trafikut detar dhe platformave të shkëmbimit të informacionit financiar.
Burime pranë sektorit të prokurimeve kanë ngritur dyshime mbi mënyrën e përcaktimit të fondeve limit dhe mungesën e transparencës për afatet konkrete të zhvillimit të procedurave, duke theksuar se praktika e shpalljes së tenderëve me afate të paqarta mund të krijojë hapësira për negocime në prapaskenë.
Në reagimet publike është përmendur edhe emri i Linda Karçanaj, ndërsa deri më tani nuk ka një vendimmarrje nga organet e drejtësisë lidhur me këto pretendime.






