Telefoni i gjetur në burgun e Durrësit gjatë kontrolleve të ushtruara këtë të premte nga Drejtoria e Burgjeve, SPAK dhe BKH, dyshohet se i përket Artur Hoxhosmanit, i arrestuar dhe i akuzuar nga SPAK si pjesë e një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Artur dhe Klevis Hoxhosmani u arrestuan rreth një vit më parë në kuadër të një operacioni të SPAK kundër trafikut të narkotikëve.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Burgjeve, gjatë kontrollit në godinën “B” u sekuestrua një aparat celular tip iPhone, së bashku me karikues dhe fishë lidhëse të improvizuar.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në godinën “B”, u konstatua dhe sekuestrua një aparat celular tip iPhone, së bashku me karikues dhe fishë lidhëse të improvizuar.
Lidhur me rastin janë kryer veprimet procedurale përkatëse dhe është mbajtur procesverbal për bllokimin dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara.
Strukturat e specializuara të SHKBB, në koordinim me SPAK dhe BKH, po vijojnë hetimet dhe procedurat e mëtejshme sipas ligjit”, njoftoi Drejtoria e Burgjeve.






