Një ngjarje e rëndë që ka tronditur opinionin publik në Greqi ka marrë përfundim tragjik, pasi ka ndërruar jetë edhe 17-vjeçarja e dytë që ishte shtruar në gjendje kritike në spitalin KAT.
E mitura ishte duke u trajtuar në Reanimacion pas ngjarjes së dy ditëve më parë, kur së bashku me shoqen e saj u hodhën nga tarraca e një pallati në katin e gjashtë. Shoqja e saj humbi jetën në vendngjarje, ndërsa ajo u transportua me urgjencë në spital, ku ndërroi jetë më 14 maj në orën 19:54, sipas njoftimit zyrtar të spitalit.
Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
Sipas informacioneve paraprake, të dyja adoleshentet kishin lënë shënime personale para ngjarjes dhe dyshohet se kishin shkuar në tarracë ku kanë qëndruar për një kohë para rënies.
Në sendet personale të njërës prej viktimave është gjetur një shënim ku përmendej gjendje e rënduar emocionale dhe frika për zhgënjimin e familjes, ndërsa në ditarin e adoleshentes tjetër janë gjetur gjithashtu shënime të ngjashme.
Ngjarja ka shkaktuar reagim të gjerë dhe tronditje në Greqi, ndërsa familjarët kanë kërkuar që në vend të kurorave mortore të bëhen donacione për organizata bamirëse në kujtim të tyre.






