Ish-Presidenti Ilir Meta ka dhënë një intervistë ekskluzive nga qelia e paraburgimit, ku ka komentuar situatën brenda opozitës dhe rolin që, sipas tij, duhet të kenë figurat e reja politike në vend.
Meta theksoi se brezi i ri i opozitarëve, veçanërisht 30-vjeçarët, duhet të jenë më aktivë dhe më të angazhuar në jetën politike, duke marrë si shembull edhe kryetarin e PD-së, Sali Berisha.
Ai përmendi gjithashtu disa figura të opozitës si Klevis Balliu, Tedi Blushi dhe Adriana Kalaja, duke i cilësuar si shembuj të angazhimit të fortë politik.
“Gjithmonë ka shumë më tepër për të bërë. Duhet të jenë të gjithë si Klevis Balliu, në vijë të parë të betejës. Duhet të jenë të gjithë si Tedi Blushi në vijë të parë të betejës. Duhet të jenë dy herë më aktiv këta 30-vjeçarët se Sali Berisha…”
Meta vlerësoi edhe qëndrimin e Kalasë, duke theksuar se ajo është aktive me kallëzime në Prokurorinë e Posaçme:
“…si Adriana Kalaja, që nuk ndalon me kallëzime, pavarësisht se prokurorët e SPAK thonë që këtë punë ka ajo…”
Në intervistë, Meta u shpreh se nuk ndjek rrjetet sociale dhe se vlerësimin e tij e bazon kryesisht në atë që shikon në media televizive.
“Unë gjykoj nga ato që shoh nga TV,” tha ai.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur debati politik brenda opozitës mbetet i ndezur, me thirrje për më shumë angazhim dhe riorganizim të strukturave drejtuese.






