Këngëtari Gjesti është rikthyer për herë të parë në media pas një periudhe të gjatë shkëputjeje, ku ka folur hapur për jetën personale, humbjen e vëllait dhe gjendjen e rënduar emocionale që po përjeton.
Teksa foli për marrëdhëniet dhe famën, artisti tha se është e vështirë të gjesh njerëz që të duan pa interes.
“Femra që duan për interes ka sa të duash… Por femra të hairit që të do si je, si Besart, si me lekë si pa lekë, zor është të gjesh. Zoti ma ka rezervuar me kohë”, u shpreh ai.
Në një rrëfim emocional, Gjesti tregoi se pas humbjes së vëllait, jeta e tij ka ndryshuar tërësisht dhe se prej asaj kohe po përballet me ankth të fortë.
“Nuk jam i thyer në 2-3 copa. Jam i thyer në 2 mijë copa. Edhe pse në kamera dal i buzëqeshur, brenda jam shumë i thyer”, tha këngëtari.
Ai tregoi se ankthi e shoqëron vazhdimisht, madje edhe në momente që dikur i sillnin gëzim.
“Para dy ditësh, pas një koncerti, kur po ndanim paratë me ekipin, më kapi ankthi. Zemra po më dridhej. Paraja nuk të bën të lumtur”, rrëfeu ai.
Gjesti tha se kjo periudhë e vështirë e ka afruar më shumë me besimin dhe me Zotin, duke shtuar se qëllimi i tij më i madh tashmë është të bëhet “njeri i mirë”.
Ai foli edhe për lidhjen e fortë me vëllain e ndjerë, duke thënë se e ndjen pranë kudo.
“Siç flas unë tani, fliste ai. Kudo ku jam unë, është edhe ai”, u shpreh mes emocionesh këngëtari.






