Ish-aktori i spektaklit humoristik “Portokalli”, Rezart Veleshnja, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Durrësit për veprën penale të “Mashtrimit”, parashikuar nga neni 143/1 i Kodit Penal.
Sipas hetimeve, Veleshnja dyshohet se i ka marrë në mirëbesim automjetin një miku të tij me inicialet Y.T. dhe më pas e ka shitur kundrejt shumës prej 2 milionë lekësh të vjetra.
Pas afro një viti hetime, çështja tashmë ndodhet në Gjykatën e Durrësit dhe po shqyrtohet nga gjyqtari Rexhep Bekteshi. Seanca e radhës ndaj aktorit është caktuar më 30 qershor 2026.
Sipas dosjes hetimore, policia dhe prokuroria e Durrësit urdhëruan arrestimin e Veleshnjës në dhjetor të vitit 2024, por më pas gjykata vendosi që ai të hetohej në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Denoncimi ndaj tij është bërë nga pronari i automjetit, shtetasi me inicialet Y.T., çka solli edhe regjistrimin e procedimit penal nr. 2463 në Prokurorinë e Durrësit.
Nga ana tjetër, Veleshnja ka mohuar akuzat. Në një reagim publik të bërë në rrjetet sociale në dhjetor 2024, ai pretendoi se automjeti kishte humbur dhe se ai vetëm e kishte përdorur, duke shtuar se më pas ishte identifikuar personi që e kishte pasur makinën.






