Kompania Rajonale e Mbeturinave në Prishtinë ka bërë të ditur se rastet e hedhjes së mbeturinave në vende të palejuara po trajtohen me seriozitet të shtuar dhe tashmë janë dërguar në Inspektorat për procedura të mëtejshme ligjore.
Në njoftimin zyrtar theksohet se synimi është rritja e disiplinës qytetare dhe mbrojtja e hapësirave publike nga ndotja, duke paralajmëruar se abuzimet e tilla nuk do të tolerohen.
“Mos harroni, 500 euro është vlera e gjobës që Inspektorati ua shqipton personave që hedhin mbeturina në hapësira publike”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Po ashtu, nga institucioni u është bërë apel qytetarëve për më shumë kujdes dhe respektim të rregullave për menaxhimin e mbeturinave.
“Kërkojmë bashkëpunimin e të gjithëve për të mbajtur qytetin të pastër dhe për të shmangur ndotjen e hapësirave publike, që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetesës”, theksohet më tej.






