Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për debatet e ngritura rreth investimit në zonën e Zvërnecit, duke i mohuar kategorikisht akuzat se toka shtetërore po u jepet të huajve apo se po cenohet një zonë e mbrojtur.
Rama i cilësoi këto pretendime si të pavërteta dhe të ndikuara nga dezinformimi publik, duke thënë se nëse ato do të ishin të vërteta, edhe ai vetë do të kishte reaguar njësoj si protestuesit.
“Do kisha bërë dhe më keq se ju. Po të më thoshin se ajo tokë është e shtetit dhe se shteti po ja fal të huajve…”, u shpreh ai, duke listuar disa nga narrativat që, sipas tij, janë përhapur mbi projektin.
Ai përmendi gjithashtu pretendime të ndryshme që qarkullojnë në publik, përfshirë idenë se zona po i jepet investitorëve të huaj në mënyrë të paligjshme apo se aty do të ndërtohen struktura që dëmtojnë mjedisin.
“Po të më thoshin se aty janë futur ca rusë, që në bashkëpunim me oligarkët shqiptarë po rrafshojnë zonën e mbrojtur dhe do ndërtojnë pallate…”, tha Rama, duke shtuar se këto janë pjesë e një vale pretendimesh të pabazuara që janë shpërndarë gjerësisht në opinionin publik.
Sipas tij, situata është rënduar nga shpërndarja e informacionit të pasaktë, i cili ka krijuar një perceptim të deformuar për projektin në fjalë dhe ndikimin e tij në zonë.






