Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zgjedhja e Shqipërisë në krye të “Forest Europe”, platformës paneuropiane ku marrin pjesë Bashkimi Europian dhe 45 vende të kontinentit, është një zhvillim që sipas tij do të ishte i paimagjinueshëm një dekadë më parë.
Duke folur në podkastin “Flasim”, Rama u shpreh se vendi në atë periudhë përballej me probleme të rënda në menaxhimin e mjedisit, nga gjuetia e paligjshme deri te prerjet masive të pyjeve.
“Ky është një vendim që ka një domethënie dhe domethënia, ma ha mendja, është e kuptueshme për të gjithë nëse i bëjmë pyetjen vetes: a mundet vallë të mendohet se Shqipëria mund të zgjidhej në krye të kësaj organizate kaq të rëndësishme 10 vjet më parë?”, tha Rama.
Sipas tij, në atë kohë situata në zonat e mbrojtura ishte problematike dhe jashtë kontrollit institucional.
“10 vjet më parë, kur në zonat tona të mbrojtura kërciste gjuetia e paligjshme dhe flamingot, jo vetëm që vriteshin, por edhe haheshin”, u shpreh Kryeministri.
Rama tha se gjatë dekadës së fundit janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit, përfshirë zgjerimin e zonave të mbrojtura dhe ndalimin e ndërhyrjeve në ekosisteme të ndjeshme si lumi Vjosa.
“Sa hidrocentrale do të ishin ndërtuar në Vjosë nëse 10 vjet më parë nuk do t’i kishim thënë stop gjithë marrëzisë?”, deklaroi ai.
Kryeministri përmendi gjithashtu se sipërfaqja e zonave të mbrojtura është zgjeruar në 25% të territorit të vendit dhe se Liqeni i Shkodrës është përfshirë në biosferën e UNESCO-s, duke i cilësuar këto si njohje ndërkombëtare të progresit në fushën e mjedisit.
Sipas Ramës, zgjedhja në krye të “Forest Europe” për mandatin 2026–2030, duke marrë stafetën nga Suedia, është një tregues i këtij ndryshimi në qasjen ndaj menaxhimit të burimeve natyrore.





