Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet ndaj blogerëve dhe influencerëve që kanë kundërshtuar projektin e investimit në Zvërnec dhe kanë ngritur akuza për korrupsion ndaj qeverisë.
Gjatë festimeve për 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Elbasan, Rama u ndal te debati për mbrojtjen e mjedisit dhe projektet e zhvillimit, duke iu përgjigjur kritikëve në rrjetet sociale.
“Flamingot i priste pushka dhe horrat që kishin liri të bënin masakër në çdo vend ku kishte shpendë e kafshë. Horrat që e kishin mbushur detin e liqenet me tela korrenti. I vrisnin peshqit me tela korrenti. Nëse flamingot do të kishin gojë të flisnin, nuk diskutohet që… Edhe ngjyrën nuk e kanë rastësisht ngjyrën e PS. Ne nuk jemi tradhtarët”, u shpreh Rama.
Më tej, kreu i qeverisë sulmoi drejtpërdrejt blogerët dhe influencerët, duke i akuzuar se përfitojnë të ardhura të mëdha pa kontribuar me taksa.
“Na tregojnë këta korrupsionin. Na e tregojnë korrupsionin blogerët që nuk lënë para pa mbledhur duke treguar të gjitha anët e trupit, që unë i kam treguar pa lekë kur isha i ri dhe që nuk i japin 1 euro taksë shtetit shqiptar. 1 euro taksë nuk paguajnë ata blogerë e influencerë”, deklaroi Rama.
Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë kur debati për projektin në Zvërnec dhe protestat kundër tij vijojnë të mbeten në qendër të vëmendjes publike.





