Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj protestave kundër projektit në Zvërnec, duke i cilësuar kundërshtarët e investimit si “delirantë” dhe “sharlatanë”.
Gjatë një deklarate publike, Rama tha se një pjesë e protestuesve pretendojnë se po mbrojnë mjedisin, por sipas tij po përhapin informacione të pavërteta dhe po nxisin qëndrime kundër investimeve të huaja.
“Ca delirantë e sharlatanë që medemek shkojnë për të mbrojtur mjedisin e flasin për të huaj që duhet t’i përzëmë nga Shqipëria e flasin për pronat e shtetit që nuk e di se çfarë duhet bërë. Pikërisht në këto momente, kur kombi shqiptar është përballë realizimit të një momenti historik, këto janë axhenda dhe lëvizje e marrëzi që shkojnë në drejtim të gabuar”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se respekton të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar një projekt, por shtoi se debati duhet të mbështetet te faktet dhe jo te, sipas tij, gënjeshtrat.
“Nuk diskutoj kanë të drejtë apo jo ata që duan të mos ndërtohet, por nëse je i shqetësuar për flamingot, për natyrën apo për mënyrën se si një zhvillim të mos e dëmtojë natyrën, je i pari që je i interesuar për faktet dhe jo për gënjeshtra. Dhe jo të bësh tangërllik, ‘ne nuk negociojmë’”, deklaroi ai.
Duke iu referuar kërkesave të protestuesve për largimin e tij nga pushteti, Rama u përgjigj me ironi:
“Duam dorëheqje. Dorëheqje nga çfarë? Nga misioni i Partisë Socialiste për të anëtarësuar Shqipërinë në BE? Kush do ta përfaqësojë Shqipërinë atje?”, tha kryeministri.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur protestat kundër projektit turistik në Zvërnec po vijojnë si në Shqipëri, ashtu edhe në disa qytete jashtë vendit, ku protestuesit kërkojnë ndalimin e investimit dhe mbrojtjen e zonës së Nartës dhe Zvërnecit.





