Një debat i fortë politik ka shoqëruar seancën plenare, ku kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj qeverisë, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend që po shkon drejt krijimit të “narkoshtetit të vetëm në Europë”.
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha deklaroi se protestat që po zhvillohen prej 18 ditësh në Tiranë përfaqësojnë, sipas tij, një lëvizje historike dhe paqësore qytetare kundër asaj që ai e quajti një regjim autoritar që cenon të drejtat e njeriut.
Në fjalën e tij, ai akuzoi drejtuesit e Kuvendit për censurim të deklaratave të tij në procesverbal dhe tha se shqetësimi kryesor mbetet mosreflektimi i institucioneve ndaj kërkesave të protestuesve.
“Zoti kryetar, në procesverbal keni censuruar fjali të tëra për shkak të tmerrit që keni nga fjala ime. Por ato i kanë dëgjuar qytetarët dhe nuk është qëllimi pse e marr fjalën”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se axhenda e protestuesve duhet të jetë prioriteti kryesor i Kuvendit dhe pretendoi se kjo kauzë ka marrë mbështetje edhe nga rezoluta e fundit e Parlamentit Europian.
“Ky parlament nuk mund të trajtojë çështje tjetër përveç axhendës së qytetarëve në protestën më madhështore në historinë e këtij vendi. Ndaj dhe tërhiq rendin e ditës, t’i rikthehemi axhendës. Mendoj se ky është detyrimi absolut i këtij parlamenti”, u shpreh ai.
Berisha e cilësoi rendin e ditës të seancës si një “sfidë” dhe “përçmim” ndaj protestuesve, duke insistuar se institucionet duhet të adresojnë kërkesat e qytetarëve që, sipas tij, kanë mbushur rrugët dhe sheshet e kryeqytetit në një mobilizim të paprecedentë.





