32.5 C
Tiranë
Thursday, July 9, 2026

Rama për protestat ndaj projektit të Zvërnecit: “Nuk kam frikë nga turma, kriteri do të jetë vetëm ligji”

Kryeministri Edi Rama ka folur në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera” për protestat e zhvilluara prej më shumë se një muaji në Tiranë kundër projektit të një resorti luksoz në jug të vendit, pranë një zone të mbrojtur, i lidhur me kompaninë e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.

Rama tha se protesta në fillim kishte karakter qytetar dhe mjedisor, por sipas tij me kalimin e kohës është shndërruar në një lëvizje politike kundër qeverisë.

“Në fillim, më kujtuan protestat studentore të vitit 2018: njerëz të ndryshëm, motivime të ndryshme, shqetësime të sinqerta dhe një mesazh që e mora seriozisht. Dëgjova dhe vazhdoj ta dëgjoj”, u shpreh Rama.

Por, sipas kryeministrit, natyra e protestës ka ndryshuar.

“Sot, nuk është më vetëm një shqetësim qytetar për mjedisin. Është gjithashtu një protestë politike, e udhëhequr nga një koalicion partish opozitare, aktorësh politikë dhe rrjetesh nga jashtë, të cilët kanë një qëllim të përbashkët: të sulmojnë qeverinë”, deklaroi ai.

Rama foli edhe për përfshirjen e emrit Trump në këtë debat, duke thënë se projekti është kthyer në një arenë të përplasjeve globale.

“Emri Trump nuk është thjesht emri i një investitori në këtë histori: është burimi më i madh në botë i zemërimit dixhital. Kudo që shfaqet Trump, ushtritë politike, mediatike dhe dixhitale pro dhe kundër tij aktivizohen automatikisht”, tha kryeministri.

Sa i përket kërkesave të protestuesve për anulimin e projektit të Zvërnecit, Rama deklaroi se aktualisht nuk ka një projekt përfundimtar.

“Qeveria nuk ka asgjë për të bllokuar, sepse ende nuk ka një projekt përfundimtar. Nuk ka leje ndërtimi. Nuk ka kantier ndërtimi. Nuk ka një vendim përfundimtar për të cilin mund të thuhet: ndalojeni”, u shpreh ai.

Ai shtoi se pret një projekt që të respektojë standardet europiane.

“Shpresoj që të jetë një projekt i jashtëzakonshëm, me arkitektë, planifikues urbanë, inxhinierë mjedisorë, ekspertë të biodiversitetit dhe standardet më të larta europiane. Ambicia ime nuk është që të bëhet ‘një tjetër vendpushim’, por një model i ri zhvillimi në të cilin turizmi dhe natyra nuk përjashtojnë njëra-tjetrën”, deklaroi Rama.

I pyetur nëse ka frikë nga reagimet e administratës amerikane apo protestat, kryeministri u përgjigj:

“Jo. Nuk kam frikë nga administrata amerikane, as nga mediat sociale, as nga turma. Kam përgjegjësi ndaj Shqipërisë. Kriteri nuk do të jetë emri i investitorit, as zhurma globale pro ose kundër Trump. Kriteri do të jetë një: a i përmbush projekti standardet ligjore, mjedisore, arkitekturore dhe strategjike që meriton Shqipëria europiane? Nëse po, vazhdon. Nëse jo, nuk e bën. Pikë.”

Rama reagoi edhe ndaj kritikave për gjuhën e përdorur ndaj protestuesve, duke thënë se nuk barazon qytetarët e shqetësuar me ata që, sipas tij, përhapin propagandë.

“Nëse diçka që thashë ka lënduar njerëz të sinqertë që protestojnë nga shqetësimi për natyrën, e them pa hezitim: Më falni! Por nuk pranoj barazimin e qytetarëve të sinqertë me fabrikat e shpifjes, propagandën politike, llogaritë anonime, shpifësit, kërcënimet dhe histeristët”, tha ai.

Kryeministri mohoi gjithashtu pretendimet për shitjen e Sazanit apo nisjen e ndërtimeve në zonën e mbrojtur.

“Nuk ka filluar asnjë ndërtim. Nuk ka shitje të Sazanit. Nuk ka zhvillim konkret në lagunë. Nuk ka asnjë nga apokalipset që qarkullojnë çdo ditë në mediat sociale”, deklaroi Rama.

Në lidhje me kërkesat e protestuesve për dorëheqjen e tij, kryeministri tha se në demokraci vendimin e marrin institucionet dhe qytetarët përmes votës.

“Në një demokraci, dorëheqjet nuk vendosen nga megafonët, por nga institucionet dhe qytetarët me votën. Unë kam një mandat të qartë. Kushdo që mendon se duhet të largohem ka të drejtë të organizohet, të garojë dhe të fitojë zgjedhjet”, u shpreh ai.

Rama pranoi se disa prej shqetësimeve të qytetarëve janë reale, duke përmendur pensionet, shëndetësinë dhe sfidat për të rinjtë.

“Pensionet janë ende të ulëta. Kujdesi shëndetësor ka ende plagë të hapura. Të rinjtë kërkojnë më shumë dhe kanë të drejtë. Por Shqipëria e sotme nuk është e njëjtë me atë që ishte më parë. Pagat janë rritur. Punësimi është rritur. Ekonomia është më e fortë”, tha kryeministri.

Duke folur për akuzat për korrupsion, Rama deklaroi se reforma në drejtësi ka sjellë një ndryshim të madh.

“Në Shqipëri, për herë të parë, sistemi i drejtësisë po heton ministra, kryetarë bashkish, deputetë, biznesmenë dhe individë të fuqishëm. Ky nuk është fundi i korrupsionit, por është fillimi i fundit të paprekshmërisë”, përfundoi ai.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

SHBA godet rreth 90 objektiva ushtarake në Iran, rriten tensionet për Ngushticën e Hormuzit

0
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vijojnë të përshkallëzohen, pasi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi për një valë të re sulmesh ndaj...

Operacioni global i Interpolit kundër mashtrimeve, 5,800 të arrestuar dhe afro 300 milionë dollarë...

0
Rreth 5,800 persona janë arrestuar dhe afro 300 milionë dollarë janë sekuestruar në një operacion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me manipulim psikologjik, njoftoi sot Interpoli. Operacioni...

Ibrahimaj: Biznesi shqiptar duhet të përgatitet që sot për tregun unik europian

0
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në tryezën e diskutimit për programin kombëtar që synon përgatitjen e biznesit shqiptar për integrimin...

Vanesa Sono dhe Adion sjellin “Amore”: Zbulojnë frymëzimet dhe projektet e reja muzikore

0
Vanesa Sono dhe Adion kanë bashkuar forcat për një projekt të ri muzikor me titull “Amore”, duke i dhënë kështu start sezonit veror me...

Erdogan surprizon liderët e NATO-s në Ankara, u dhuroi pistoleta me emrat e tyre...

0
Një dhuratë e pazakontë e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan për liderët e NATO-s në samitin e zhvilluar në Ankara ka tërhequr vëmendjen e...