Një tjetër ngjarje e rëndë brenda familjes është regjistruar në Durrës, vetëm pak orë pas krimit tronditës në Shkodër, ku një grua humbi jetën pasi u qëllua me armë gjahu nga bashkëshorti i saj.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një 32-vjeçare ka mbetur e plagosur rëndë pasi dyshohet se është goditur me thikë nga bashkëshorti në banesën e tyre, në lagjen nr. 16/1 të Durrësit.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Xh. K., 40 vjeç, dyshohet se ka plagosur me mjet prerës (thikë) bashkëshorten e tij, shtetasen E. K., 32 vjeçe.
E reja është transportuar menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, autori i dyshuar është shpallur në kërkim. Shërbimet e Policisë po zhvillojnë kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes.





