Tre punonjëse të filialit të Postës Shqiptare në Durrës janë ndaluar me urdhër të Prokurorisë, pas një kallëzimi penal të bërë nga Posta Shqiptare për dyshime mbi shkelje detyre dhe abuzim me vlera monetare.
Bëhet fjalë për drejtoreshën e filialit të Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, shefen e financës Valbona Hoti Duni dhe arkëtaren Paola Dana.
Sipas informacionit të bërë publik, pas kallëzimit penal të depozituar nga Posta Shqiptare, prokurori G. Frëngu ka nisur menjëherë veprimet procedurale dhe ka kërkuar mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Tre punonjëset janë ballafaquar me akuzat e ngritura nga Posta Shqiptare, që lidhen me dyshime për shkelje detyre dhe abuzim me vlera monetare.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, prokurori ka vendosur ndalimin e tyre, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit dhe përgjegjësitë e secilës prej të ndaluarave.





