Një konflikt fizik në një subjekt plazhi në Golem ka përfunduar me dy persona të arrestuar dhe dy të tjerë nën procedim penal, pas një përplasjeje me disa pushues turq.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali në zonën e plazhit, ku sipas policisë, një debat për motive të dobëta ka degjeneruar në konflikt fizik. Gjatë përleshjes dyshohet se janë përdorur edhe sende të forta.
Pas njoftimit për incidentin, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh kanë ndërhyrë në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet hetimore për identifikimin e personave të përfshirë.
Në pranga kanë përfunduar shtetasit me iniciale D. K., 33 vjeç, dhe E. Q., 37 vjeç, banues në Durrës. Sipas policisë, ata punonin respektivisht si menaxher dhe punonjës në hapësirën e plazhit ku ndodhi konflikti.
Dy të arrestuarit dyshohet se kanë goditur me sende të forta dy pushues turq. Ndaj tyre janë ngritur akuzat për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prishje e qetësisë publike”.
Ndërkohë, për shtetasit I. Sh., 48 vjeç, me detyrë banakier, dhe T. D., 49 vjeç, punonjës sigurie në të njëjtin subjekt, është nisur procedim penal në gjendje të lirë.
Ata dyshohen se kanë goditur dhe kanosur tre shtetas turq, ndërsa ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.





