Një operacion antidrogë i zhvilluar nga Policia e Tepelenës ka çuar në arrestimin në flagrancë të një 57-vjeçari, i cili dyshohet se kishte kultivuar bimë narkotike në një zonë të thellë dhe të vështirë për t’u aksesuar në kanionet e fshatit Progonat.
Operacioni i koduar “Rrjedha” u finalizua pas një hetimi me metoda proaktive të zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë së dyshuar kriminale.
Si rezultat i ndërhyrjes policore, në thellësi të kanioneve të Progonatit u arrestua shtetasi me iniciale I. M., 57 vjeç, banues në Tepelenë.
Sipas Policisë, ai kishte kultivuar në vazo 175 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të vendosura mes kanioneve, në një përpjekje për t’i fshehur nga kontrollet e autoriteteve.
Në njoftimin zyrtar, Policia bëri me dije se bimët narkotike u asgjësuan, ndërsa kontrollet anticannabis vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Gjirokastër.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.





